“Të burgosurit kanë kryer marrëdhënie edhe me psikologet e burgut”/ Avokati Kujtim Cakrani: Ndjenjat janë, kjo është normale!
Avokati i njohur Kujtim Cakrani ka bërë deklarata të bujshme në emisionin “Breaking”, ku ka folur për skandalin e eskortave dhe takimet speciale që përfliten se zhvillohen në burgjet e vendit.
Sipas tij, jo çdo takim me natyrë intime mes të burgosurve dhe personave që i vizitojnë duhet të konsiderohet prostitucion, pasi në disa raste bëhet fjalë për marrëdhënie të mirëfillta dashurie dhe lidhje që synojnë krijimin e familjes.
Cakrani ka treguar edhe një rast të një personazhi të njohur të botës së krimit, i cili ishte takuar me të dashurën e tij në paraburgimin e Korçës.
“Ka ndodhur që para disa kohësh, një personazh i rëndësishëm i botës së krimit është takuar me të dashurën, që mendohet se nesër mund të krijojë familje, në paraburgimin e Korçës. Të gjithë folën që ka shkuar x modele nga Kosova e kështu me radhë, jo, nuk është kjo e vërteta”, është shprehur avokati.
Ai ka theksuar se takimet e tilla duhet të analizohen veçmas dhe se nuk mund të përgjithësohet duke i konsideruar të gjitha vajzat që vizitojnë të burgosurit si prostituta.
Në deklaratën e tij, avokati ka përmendur edhe raste kur të dënuarit kanë krijuar lidhje dashurie me punonjëse të institucioneve penitenciare.
“Kemi raste kur kanë kryer marrëdhënie seksuale edhe me psikologet e burgut, me edukatoret… Tani kjo është krejt normale, sepse ndjenja janë, dreqi ta hajë. Ngjarjet duhen parë rast pas rasti”, ka deklaruar Cakrani.
Sipas tij, duhet bërë dallimi mes marrëdhënieve sentimentale dhe rasteve të mundshme të prostitucionit, duke shmangur paragjykimet dhe përgjithësimet për personat që realizojnë takime speciale në burgje.