Rrëshqitje dheu në Currila, dëmtohen pallati dhe një restorant; banorët evakuohen për siguri
Një rrëshqitje dheu është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në zonën e Currilave në Durrës, duke shkaktuar dëmtime në një pallat dhe në ambientet e një restoranti që ndodhet në katin e parë të godinës.
Sipas informacioneve paraprake, një masiv dheu është shkëputur nga kodra pranë ndërtesës, duke prekur strukturën e saj. Si pasojë, janë konstatuar dëmtime në pallat, ndërsa restoranti ka pësuar çarje dhe dëmtime të dukshme në muret e tij.
Për shkak të rrezikut të mundshëm, banorët janë evakuuar menjëherë nga godina. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e emergjencës dhe përfaqësues të autoriteteve lokale, të cilët po monitorojnë situatën dhe po vlerësojnë nivelin e rrezikut nga lëvizje të tjera të mundshme të tokës.
Pronari i restorantit ka deklaruar për mediat se prej vitesh janë paraqitur ankesa dhe kërkesa pranë institucioneve përgjegjëse lidhur me rrezikun që paraqiste kodra në këtë zonë, por sipas tij nuk janë ndërmarrë masat e nevojshme për të parandaluar një ngjarje të tillë.
Ndërkohë, ekspertët pritet të kryejnë inspektime të detajuara për të përcaktuar shkallën e dëmeve dhe për të rekomanduar masat që do të garantonin sigurinë e banorëve, ndërtesës dhe zonës përreth.