Prifti françeskan Landi Jaku ka ndarë disa prej historive më të veçanta që, sipas rrëfimit të tij, ka dëshmuar gjatë viteve në Kishën e Shna Ndout në Laç.
Në një intervistë për emisionin “Quo Vadis”, të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus, Jaku tregoi disa raste që ai i cilëson si të jashtëzakonshme, duke theksuar se disa prej tyre i ka parë personalisht.
Një prej historive lidhet me një vajzë që, sipas tij, po përballej me probleme të rënda të shëndetit mendor. Familjarët e saj e kishin dërguar në kishë për disa të marta radhazi, ku ishin lutur për shërimin e saj. Prifti tha se më pas gjendja e saj ndryshoi dhe ajo u rikthye në një jetë normale.
“E kam parë me sytë e mi kur ishte e sëmurë dhe më pas kur u shërua. E kam parë së fundmi dhe ishte bërë me djalë, ishin të dy shumë mirë”, rrëfeu Jaku.
Një tjetër rast që ai solli në vëmendje ishte ai i një gruaje, e cila, sipas tij, kishte humbur plotësisht shikimin. Familjarët e saj e çuan në Kishën e Shna Ndout, ku u lutën për shërimin e saj.
“Solli këtu, u lutën me shpirt dhe fitoi dritën e syve. Ajo është gjallë edhe sot”, tregoi prifti.
Gjatë intervistës, Jaku përmendi edhe një tjetër histori që ia kishte treguar një prej punëtorëve të kishës. Bëhet fjalë për një burrë nga Mirdita, i cili, sipas rrëfimit, ishte në ndjekje nga policia dhe kishte shkuar në kishë për t’u lutur.
Ai tregoi se, ndërsa po ndiqej, burri ndryshoi drejtim dhe u fut në zonën pranë përroit të kishës. Sipas dëshmisë së përcjellë nga punëtori, në atë moment zona u mbulua nga një mjegull e dendur dhe policët nuk mund ta shihnin më njëri-tjetrin.
“Policët u kthyen mbrapsht. Siç duket, ai i ka rënë rreth e rrotull dhe ka shkuar në shtëpinë e vet. Aq të fortë e ka pasur besimin, sa Zoti e ka ndihmuar të humbasë gjurmët”, u shpreh Jaku.
Rrëfimet e priftit janë paraqitur si dëshmi personale dhe histori të treguara ndër vite nga besimtarë apo persona që kanë vizituar Kishën e Shna Ndout në Laç.
