Skip to content

“Prej 28 shtatorit pa kimioterapi, mungojnë ilaçet” – Protestuesja përballet me qeverinë: Çfarë dialogu kërkon kryeministri?

Një rrëfim tronditës është bërë publik gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku një qytetare ka denoncuar mungesën e medikamenteve në Spitalin Onkologjik dhe vështirësitë e mëdha me të cilat po përballet familja e saj në luftën kundër kancerit.

 

Në një prononcim për News24, për gazetarin Osman Stafa, gruaja ka treguar se prej tre vitesh është paciente në Spitalin Onkologjik, ku ka kryer edhe një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks. Ndërkohë, bashkëshorti i saj po përballet me kancerin në mushkëri.

 

Sipas saj, trajtimi me kimioterapi i bashkëshortit është ndërprerë që prej datës 28 shtator, për shkak të mungesës së medikamentit Docetaxel. Ai duhej të merrte seancën e tretë të trajtimit, i cili parashikohej të kryhej çdo 15 ditë.

 

Qytetarja shprehet se kanë kërkuar ndihmë pranë institucioneve shëndetësore, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje konkrete lidhur me sigurimin e ilaçit apo rifillimin e trajtimit.

 

Shqetësimi i saj nuk lidhet vetëm me mungesën e kimioterapisë. Ajo thotë se bashkëshorti duhet të kishte kryer një ekzaminim PET Scan rreth 6-7 muaj më parë, por sipas përgjigjes që kanë marrë, ky shërbim mund të jetë i disponueshëm vetëm në vitin 2027. Alternativa në spitalet private kushton rreth 1600 euro, një shumë që familja e ka të pamundur ta përballojë.

 

Gruaja ka treguar gjithashtu se ajo dhe bashkëshorti kanë kontribuar për dekada në punë, përkatësisht 32 dhe 42 vite, por sot, në momentin kur kanë më shumë nevojë për mbështetjen e institucioneve, ndihen të braktisur.

 

Gjatë dëshmisë së saj, qytetarja nuk i ka kursyer kritikat ndaj institucioneve shëndetësore dhe kryeministrit, duke kërkuar zgjidhje konkrete për pacientët që përballen me sëmundje të rënda.

 

Ajo ka bërë thirrje që protesta të vazhdojë dhe të mos ndalet, duke theksuar se pacientët kanë nevojë për ilaçe dhe trajtim në kohë, jo për premtime dhe thirrje për dialog.

 

Published inNews Shqip