Lajm i mirë për pushuesit në Vlorë: Shezlongët nuk do të kushtojnë më shumë se 700 lekë
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka sqaruar vendimin e fundit të miratuar nga Këshilli Bashkiak, i cili vendos një tarifë maksimale prej 700 lekësh për përdorimin e çadrave dhe shezlongëve në plazhe.
Sipas saj, rreth 15 mijë metra katrorë vijë bregdetare do të jenë në dispozicion të qytetarëve si plazh publik falas. Në këto zona do të vendosen afërsisht 350 çadra dhe shezlongë, ndërsa do të ketë edhe hapësira të lira ku pushuesit mund të përdorin pajisjet e tyre personale pa pagesë.
Mersini theksoi se kufiri maksimal prej 700 lekësh do të zbatohet edhe në plazhet private, të cilat do të operojnë në bashkëpunim me bizneset lokale. Ajo kujtoi se gjatë sezonit të kaluar çmimet në disa zona arrinin deri në 2 mijë lekë, ndërsa këtë verë nuk do të lejohet tejkalimi i tarifës së përcaktuar.
Vendimi ka ngjallur reagime dhe diskutime të shumta si në Këshillin Bashkiak, ashtu edhe mes qytetarëve, të cilët e shohin masën si një hap drejt lehtësimit të kostove për pushuesit.