Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë vijoi edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 15-të radhazi të tubimeve kundër projektit të investimit në Zvërnec. Ajo që nisi si një reagim ndaj këtij projekti është zgjeruar në një lëvizje kritike ndaj forcave kryesore politike në vend.
Vetëm pak minuta pas nisjes së fjalimeve, në protestë u regjistrua një moment tensioni që përfshiu disa të rinj të maskuar. Situata krijoi shqetësim te pjesëmarrësit dhe për pak sa nuk degradoi në përplasje fizike.
Sipas informacioneve paraprake, tensioni dyshohet se ka lindur mes disa protestuesve dhe një aktivisti të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të drejtuar nga Adriatik Lapaj. Aktivisti po mblidhte firma dhe të dhëna identifikuese nga qytetarët në kuadër të një nisme për referendum, që synon shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe ligjit për investimet strategjike.
Kjo nismë nuk është pritur mirë nga një pjesë e protestuesve, të cilët kanë kundërshtuar mbledhjen e firmave gjatë zhvillimit të protestës. Kundërshtimet janë shprehur jo vetëm nga pjesëmarrësit në terren, por edhe përmes ndërhyrjeve nga mikrofoni i organizatorëve.
Ngjarja përbën episodin e parë të tensionit të hapur gjatë këtyre protestave, të cilat deri tani janë zhvilluar pa incidente të rëndësishme. Pavarësisht momentit të krijuar, tubimi vijoi normalisht me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.