Bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Njësisë Kombëtare të Personave në Kërkim pranë National Crime Agency në Mbretërinë e Bashkuar ka çuar në identifikimin dhe arrestimin e pesë shtetasve shqiptarë të kërkuar nga drejtësia shqiptare, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.
Sipas dokumenteve të Gjykatës së Ekstradimeve në Westminster, arrestimet janë kryer gjatë katër javëve të fundit në zona të ndryshme të Anglisë.
Një prej të arrestuarve është Renato Hasani, 37 vjeç, i cili rezulton i kërkuar nga autoritetet shqiptare nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike.
Po ashtu, në zonën e Enfield-it në veri të Londrës është arrestuar Murat Mehmeti, 62 vjeç. Ai ishte dënuar në Shqipëri në vitin 2014 për falsifikim dokumentesh me një dënim prej 1 viti e 4 muajsh burg, i konvertuar në shërbim prove. Sipas autoriteteve, Mehmeti u largua nga vendi pa përmbushur detyrimet e vendosura nga gjykata, çka solli riaktivizimin e dënimit.
Aktualisht, ai po ndjek procesin gjyqësor të ekstradimit në gjendje të lirë me kusht, pasi ka depozituar një garanci financiare prej 15 mijë paundësh.
Ndërkohë, Gëzim Çela, 37 vjeç, është arrestuar në bazë të një urdhër-kërkimi të lëshuar nga drejtësia shqiptare për një rast të trafikimit të rreth 46 kilogramëve lëndë narkotike drejt Kosovës, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.
Një tjetër person i arrestuar është Andi Hoxha, 23 vjeç, i kërkuar për një aksident me pasojë vdekjen e një personi në aksin rrugor Thumanë–Fushë Krujë në nëntor të vitit 2022.
Ndërsa Kostandino Tahiri, 30 vjeç, i kërkuar për plagosje të rëndë, ka pranuar para gjykatës britanike ekstradimin vullnetar drejt Shqipërisë.
Nga ana tjetër, dokumentet e Gjykatës Supreme të Anglisë tregojnë se më 10 qershor 2026, Prokuroria Britanike (CPS), e cila përfaqëson interesat e shtetit shqiptar në procedurat e ekstradimit, ka paraqitur kërkesë për apelim ndaj vendimit që bllokoi ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe katër shtetasve britanikë.
Këta të fundit kërkohen nga Prokuroria e Lezhës në kuadër të hetimeve për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur tre vite më parë.