Paralajmërimi i meteorologes: Pas vapës ekstreme, Shqipëria rrezikohet nga stuhi dhe përmbytje
Meteorologia e njohur Lajda Porja ka dhënë një paralajmërim për kushtet atmosferike që pritet të shoqërojnë vendin gjatë muajve të ardhshëm, duke theksuar se temperaturat e larta të kësaj vere mund të pasohet nga fenomene të forta moti në vjeshtë.
E ftuar në një emision televiziv, Porja u shpreh se java në vijim do të karakterizohet nga temperatura shumë të larta, të cilat në disa zona mund të arrijnë deri në 39 gradë Celsius. Sipas saj, zonat më të nxehta do të jenë ato të Shqipërisë së mesme dhe veriut, ndërsa vapë intensive pritet në pothuajse të gjithë territorin.
Meteorologia theksoi se pas periudhave të gjata me temperatura ekstreme, rritet ndjeshëm rreziku për stuhi të forta, reshje intensive dhe përmbytje të përkohshme, veçanërisht gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor.
Sipas saj, më të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve do të jenë zonat lindore dhe juglindore të vendit, duke përfshirë Tiranën, Elbasanin, Librazhdin, Korçën, Pogradecin, Ersekën, Përmetin dhe Tepelenën. Në këto rajone priten rrebeshe të forta shiu, stuhi ere dhe në disa raste edhe breshër.
Porja paralajmëroi gjithashtu se reshjet intensive mund të sjellin probleme në infrastrukturë, rrëshqitje dherash dhe përmbytje lokale, sidomos në zonat malore ku toka e thatë e ka më të vështirë të përthithë sasi të mëdha uji në një kohë të shkurtër.
Megjithatë, ajo sqaroi se këto fenomene zakonisht janë të përkohshme dhe pas kalimit të stuhive moti rikthehet sërish i kthjellët. Pavarësisht kësaj, ekspertët këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes gjatë periudhave me reshje intensive dhe temperatura ekstreme.
Sipas parashikimeve, dita dhe java në vijim do të dominohen nga mot i nxehtë, ndërsa në zonat malore nuk përjashtohen rrebeshe të izoluara gjatë orëve të pasdites.


Be First to Comment