Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Kavajë, ku një konflikt mes dy vëllezërve përfundoi me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, në kohën kur dy vëllezërit po punonin në një arë, duke mbledhur bazë ushqimore për blegtorinë. Gjatë konfliktit, Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë vëllain e tij, Eqerem Rreshka, 74 vjeç.
I moshuari i plagosur është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë transportimit.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë kanë ndërhyrë duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar. Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë krim të rëndë brenda familjes.


Be First to Comment