Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në një reagim për Shqiptarja.com, ka deklaruar se pretendimet e bëra publike nga një i ri gjatë protestës para Kryeministrisë, i cili tha se kishte marrë kërcënime në emër të këtij institucioni, janë plotësisht të pavërteta.
Reagimi i ambasadës erdhi pas deklaratës së protestuesit, i cili jo vetëm pretendoi se kishte marrë mesazhe kërcënuese që, sipas tij, vinin në emër të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, por iu drejtua edhe publikisht këtij institucioni me pyetjen: “Kështu e trajtoni ju rininë shqiptare? Turp.”
Deklarata e tij në protestë krijoi përshtypjen se kërcënimet e përmendura mund të lidheshin me selinë e përfaqësisë amerikane në Tiranë.
“Më parë kam marrë disa mesazhe dhe telefonata anonime kërcënuese. Nuk jam i vetmi, shumë të tjerë i kanë marrë. Mesazhe që lidhen me protestën time paqësore për këtë popull. Unë sot nuk vij me mesazhe private, por me një mesazh publik: ne do të qëndrojmë këtu dhe do të protestojmë derisa kërkesat tona të plotësohen. Dhe së fundi, mesazhet pretendonin se vinin nga Ambasada Amerikane. Kam një pyetje për Ambasadën Amerikane: kështu e trajtoni ju rininë shqiptare, me kërcënime dhe intimidim?”, u shpreh protestuesi gjatë fjalës së tij, deklaratë që solli edhe reagimin e ambasadës amerikane.


Be First to Comment