Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, shprehu mbështetjen e tij për protestën e të rinjve, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me mënyrën se si, sipas tij, trajtohen ish-luftëtarët e UÇK-së.
Berisha u ndal edhe te rasti i shpalljes “non grata” të një protestueseje për shkak të një fotografie me ish-presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad. Ai pretendoi se edhe Edi Rama ka pasur kontakte me ish-presidentin iranian gjatë aktivitetit të tij politik.
Sipas Berishës, çdo demokrat dhe çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, duhet të mbështesë protestat e të rinjve, të cilat ai i cilësoi si një shpresë për të ardhmen e Shqipërisë.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i opozitës kritikoi ashpër qeverinë, duke pretenduar se ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së po përdoren standarde të padrejta dhe se institucione shtetërore janë përdorur për qëllime politike.
Në fund të bashkëbisedimit, Berisha iu përgjigj edhe interesimit për një vizitë të mundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u shpreh se nuk do të presë të bëhet kryeministër për të udhëtuar drejt SHBA-së, duke lënë të kuptohet se një vizitë mund të realizohet edhe më herët, në kuadër të pjesëmarrjes në aktivitete apo konferenca ndërkombëtare.

Be First to Comment