Skip to content

“Tragjedi në Kosovë: E reja që erdhi për pushime dyshohet se vrau të dashurin e saj”

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen e ndodhur më 28 qershor 2026 në Ferizaj.

Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:40 në rrugën “Sejdi Sejdiu”, në një banesë të marrë me qira nga babai i të pandehurës. Dyshohet se viktima, F.H., kishte shkuar në banesën ku ndodhej e dyshuara, ku pas një mosmarrëveshjeje dhe përleshjeje fizike mes tyre, ka ndodhur përdorimi i armës së zjarrit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në rrethana ende të sqaruara plotësisht, e dyshuara ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar një herë në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, nga të cilat ai ka ndërruar jetë në vendngjarje. Me këto veprime, ajo dyshohet për veprën penale “Vrasje” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria thekson se ekzistojnë prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar, përfshirë raportin mbi sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe deklaratat e dëshmitarëve që, sipas saj, vërtetojnë gjendjen faktike të paraqitur në kërkesë.

Në kërkesë gjithashtu vlerësohet se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurës, duke qenë se ajo jeton dhe vepron në Francë dhe kishte ardhur në Kosovë për qëndrim të përkohshëm. Po ashtu, Prokuroria thekson rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët dhe pengimit të procedurës penale në rast të lirimit të saj.

Sipas organit të akuzës, pesha e veprës penale, mënyra e kryerjes dhe pasojat e saj e bëjnë të domosdoshëm caktimin e paraburgimit, ndërsa masat alternative konsiderohen të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *