Një sulm i rëndë me bomba artizanale tronditi këtë të enjte qytetin e Selanikut, ku objektiv u bënë banesat e tre zyrtarëve të partisë greke Demokracia e Re.
Sipas raportimeve, sulmet kishin në shënjestër shtëpinë e kryetarit të Komitetit Drejtues të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakimovic, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe politikanes Aphrodite Nestora.
Bilanci i sulmit është tragjik. Katër persona mbetën të plagosur, ndërsa 72-vjeçarja, nëna e politikanes Aphrodite Nestora, humbi jetën në spital pasi pësoi djegie të rënda në pjesën më të madhe të trupit dhe dëmtime serioze në organet e brendshme. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Vetë Aphrodite Nestora pësoi djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë të pallatit u transportuan në spital për shkak të problemeve në frymëmarrje të shkaktuara nga tymi.
Pas ngjarjes reagoi edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar si një akt që tregon “natyrën vrasëse dhe çnjerëzore të dhunës së verbër”. Ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj terrorizmit, duke theksuar se siguria dhe stabiliteti janë baza e funksionimit të demokracisë dhe se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një mesazh i fortë kundër çdo forme dhune.

Be First to Comment