Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet ekonomike dhe është e gatshme të ndërhyjë me masa mbështetëse nëse rritja e çmimeve bëhet e papërballueshme për pensionistët dhe shtresat më në nevojë.
Ajo theksoi se, pas indeksimit të pensioneve të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, niveli aktual i inflacionit është rreth 3%, ndaj për momentin nuk konsiderohet e nevojshme marrja e masave të tjera emergjente.
“Miratuam indeksimin e pensioneve në muajin korrik. Gjatë përballimit të krizave kemi pasur gjithmonë në fokus grupet që e kanë më të vështirë të përballojnë rritjen e çmimeve. Aktualisht inflacioni është rreth 3% dhe nuk jemi në kushtet kur rritja e çmimeve është e papërballueshme. Megjithatë, nëse konstatojmë se çmimet rriten përtej mundësive të pensionistëve ose shtresave në nevojë, qeveria do të marrë masat e nevojshme për t’i mbështetur,” u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se gjatë muajit shtator qeveria do të prezantojë komponentët kryesorë të reformës së skemës së pensioneve, duke sqaruar se në atë periudhë do të bëhen publike edhe fushat ku do të ndërhyhet.
“Brenda muajit shtator do të prezantojmë komponentët e reformës dhe do të sqarojmë se në cilat drejtime do të ndërhyjmë në skemën e pensioneve,” tha ajo.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj u ndal edhe te investimet strategjike, duke njoftuar se qeveria synon të miratojë brenda këtij viti ligjin e ri për investimet. Sipas saj, do të analizohet legjislacioni i vendeve të Bashkimit Evropian për të ndërtuar një kuadër ligjor sipas standardeve evropiane, me synimin për të tërhequr më shumë investime, veçanërisht në zonat më pak të zhvilluara.
Ajo shtoi se procesi i konsultimeve për projektligjin e ri do të nisë gjatë kësaj vere, ndërsa objektivi është krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investitorët dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Be First to Comment