Janë publikuar pamje të reja nga vendi i ngjarjes së rëndë që tronditi sot qendrën e Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri katër persona mbetën të plagosur.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentet e para pas incidentit, ndërsa në vendngjarje shihen ekipet e emergjencës dhe njësitet e Policisë së Kosovës, të cilat ndërhynë për t’u ofruar ndihmë të lënduarve dhe për të siguruar zonën.
Të plagosurit u transportuan me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtim mjekësor. Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka deklaruar se katër të lënduarit ndodhen në gjendje të rëndë, por stabile, ndërsa po iu nënshtrohen ekzaminimeve dhe trajtimit të nevojshëm.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat, të plagosurit janë familjarë mes vete, përkatësisht dajë dhe nipa. Motivi i ngjarjes ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Gjatë ditës u publikuan edhe pamje që tregojnë momentin kur një zyrtar policor, i cili nuk ishte me uniformë, ndërhyn dhe neutralizon personin e dyshuar të armatosur, duke parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare lidhur me motivin e incidentit apo procedurat ligjore ndaj të dyshuarit.
Portali ynë do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë ngjarje.

Be First to Comment