Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale ka caktuar datën 16 shtator, në orën 10:00, për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një njoftim të publikuar mbrëmë, Gjykata Speciale ka bërë të ditur arsyetimin e Trupit Gjykues për shtyrjen e vendimit përfundimtar, i cili fillimisht ishte paraparë të shpallej më 19 maj, e më pas ishte shtyrë deri më 20 korrik. Sipas gjykatës, vendimi për shtyrje është marrë për shkak të kompleksitetit të rastit.
Gjykata thekson se Trupi Gjykues ka zgjatur kohën e nevojshme për përfundimin e këshillimeve, në përputhje me rregulloren përkatëse, duke marrë parasysh vëllimin e madh të provave të administruara dhe natyrën e ndërlikuar të procesit gjyqësor.
“Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për këshillimet është zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të paraqitura dhe kompleksitetit të çështjes, dhe se kjo zgjatje justifikohet nga nevoja për një vlerësim të plotë, të arsyetuar dhe të drejtë të materialit të lëndës”, thuhet në njoftim.

Be First to Comment