Mes tensioneve dhe përplasjeve të forta ka nisur protesta e qytetarëve para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku situata është shoqëruar me incidente mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Në disa momente, përplasjet janë përshkallëzuar, ndërsa policia ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën. Si pasojë e incidenteve, disa protestues janë shoqëruar në komisariat, ndërsa raportohet se si qytetarë ashtu edhe efektivë policie kanë mbetur të lënduar. Mes të plagosurve është parë edhe një protestues me fytyrën e mbuluar me gjak.
Ndërkohë, teksa jashtë Kuvendit vijonin tensionet, deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, mbërriti në ambientet e institucionit dhe gjatë deklaratës së saj bëri thirrje që fokusi të jetë te reflektimi i brendshëm dhe jo te përplasjet me kundërshtarët politikë.
“Ne kemi punën tonë. Duhet të reflektojmë, të dëgjojmë qytetarët dhe të ofrojmë zgjidhje. Nuk duhet të merremi me protestuesit, por me veten. Çdo forcë politike duhet të bëjë analizën e saj përpara se të analizojë kundërshtarin. Kuvendi duhet të shërbejë për të diskutuar problemet e njerëzve dhe për të ofruar zgjidhje konkrete,” u shpreh Spiropali.

Be First to Comment