Një histori e jashtëzakonshme mbijetese vjen nga Venezuela, ku një burrë është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, tetë ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor.
Hernan Gil u shpëtua pas një operacioni të ndërlikuar kërkim-shpëtimi, më shumë se 100 orë pasi ekipet e emergjencës arritën të lokalizonin vendndodhjen e tij nën rreth 140 ton rrënoja. Në operacion morën pjesë qindra efektivë nga disa shtete, përfshirë Venezuelën, Kilin, Kosta Rikën, El Salvadorin, Meksikën, Portugalinë dhe Shtetet e Bashkuara, në një ndërhyrje që u konsiderua jashtëzakonisht e vështirë.
Një zjarrfikës kilian e cilësoi misionin si një nga më kompleksët dhe teknikisht më sfiduesit e karrierës së tij, pasi gjatë punës struktura të paqëndrueshme rrezikonin vazhdimisht si ekipet e shpëtimit, ashtu edhe vetë të bllokuarin.
Pasi u arrit kontakt vizual me të përmes një kamere të vogël, ekipet i siguruan ujë, maskë mbrojtëse dhe serum. Sipas mjekëve, gjendja e tij ishte e qëndrueshme dhe pa dëmtime serioze.
Sipas dëshmive të shpëtimtarëve, Hernan Gil ka komunikuar vazhdimisht me ta dhe i ka inkurajuar të mos ndaleshin gjatë operacionit të vështirë.
Ai ndodhej në një hapësirë betoni në bodrumin e një parkingu pranë qendrës tregtare “Galerías Playa Grande”, në qytetin Catia La Mar, kur ndodhën tërmetet. Struktura ku ishte strehuar krijoi një hapësirë mbrojtëse që i shpëtoi jetën.
Autoritetet raportojnë se bilanci i tërmeteve ka arritur në rreth 2.300 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur, duke e bërë këtë një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore të viteve të fundit në rajon.

Be First to Comment