Granit Xhaka vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Zvicrës. Mesfushori me origjinë shqiptare ka konfirmuar prej kohësh statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e kombëtares helvete.
Që nga debutimi i tij mbi 15 vite më parë, ish-kapiteni i FC Basel është shndërruar në një lider të padiskutueshëm. Edhe në moshën 33-vjeçare, Xhaka mbetet një prej mesfushorëve më cilësorë në futbollin ndërkombëtar, duke qenë një element kyç për Zvicrën nën drejtimin e Ottmar Hitzfeld, Vladimir Petkoviq dhe aktualisht Murat Yakin.
Me ndeshjen ndaj Algjerisë, të fituar nga Zvicra, Xhaka arriti shifrën jubilare prej 150 paraqitjesh me kombëtaren, duke vendosur një tjetër rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Kjo e rendit atë mes futbollistëve aktivë me më shumë ndeshje ndërkombëtare në botë. Vetëm dhjetë lojtarë aktivë kanë arritur ose tejkaluar kuotën e 150 ndeshjeve me kombëtaret e tyre.
Renditja e futbollistëve aktivë me më shumë ndeshje ndërkombëtare:
– Cristiano Ronaldo (Portugalia) – 232 ndeshje
– Lionel Messi (Argjentina) – 202
– Luka Modriç (Kroacia) – 202
– Hassan Al-Haydos (Katari) – 172
– Robert Lewandowski (Polonia) – 167
– Aníbal Godoy (Panamaja) – 158
– Ivan Perishiq (Kroacia) – 158
– Guillermo Ochoa (Meksika) – 154
– Christian Eriksen (Danimarka) – 151
– Edin Xheko (Bosnje dhe Hercegovina) – 151
– Granit Xhaka (Zvicra) – 150
Madhështia e kësaj arritjeje bëhet edhe më e qartë kur merret parasysh se Xhaka është futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares së Zvicrës. Rekordi i tij nuk është vetëm një krenari për futbollin zviceran, por edhe një dëshmi e vazhdimësisë dhe nivelit të lartë që mesfushori shqiptar ka ruajtur për më shumë se një dekadë në arenën ndërkombëtare.

Be First to Comment