Protesta e paralajmëruar për këtë të shtunë ka sjellë tensione dhe pretendime për kontrolle të shtuara në pikat kufitare të Shqipërisë.
Sipas raportimeve, qytetarë që udhëtonin nga Kosova drejt Shqipërisë janë përballur me vonesa në Pikën Kufitare të Morinës, ku janë krijuar kolona të gjata automjetesh.
Për situatën ka reaguar edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës, e cila njoftoi se nga ora 04:00 e mëngjesit në dalje të Kosovës janë krijuar kolona që arrijnë deri në rreth 3.5 kilometra. Sipas këtij institucioni, vonesat janë shkaktuar pasi autoritetet shqiptare po regjistrojnë hyrjen e qytetarëve në territorin e Shqipërisë.
“Ju informojmë se sot, nga ora 04:00 e në vazhdim, në dalje të Republikës së Kosovës janë krijuar kolona të gjata, afërsisht 3.5 km, pasi autoritetet shqiptare janë duke regjistruar hyrjen e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e këtyre kontrolleve apo vonesave. Ndërkohë, udhëtarët që po kalojnë kufirin po përballen me pritje më të gjata se zakonisht, pavarësisht destinacionit apo qëllimit të udhëtimit.

Be First to Comment