Moti për fundjavën dhe javën e ardhshme, ja çfarë pritet në vend
Meteorologu Hakil Osmani ka bërë parashikimin e motit për fundjavën dhe ditët e para të javës së ardhshme, duke njoftuar se vendi do të dominohet kryesisht nga mot i kthjellët dhe temperatura të larta.
Sipas Osmanit, dita e sotme karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe intervale të gjata me diell në të gjithë territorin, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 36°C në zonat e Elbasanit dhe Beratit, ndërsa në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër termometri do të shënojë rreth 35°C.
Në bregdet temperaturat do të luhaten nga 31 deri në 34°C, ndërsa zonat juglindore do të mbeten më të freskëta, me vlera nga 28 deri në 30°C.
Për ditën e diel, pritet një rënie e lehtë e temperaturave, me maksimumet që do të variojnë nga 34 deri në 35°C, duke sjellë kushte më të pranueshme për qytetarët.
Edhe java e ardhshme do të nisë me mot kryesisht të kthjellët. Të hënën do të ketë diell dhe vranësira të pakta gjatë pjesës së parë të ditës, ndërsa pas mesditës pritet shtim i vranësirave në zonat lindore të vendit.
Sipas parashikimit, lagështira e lartë mund të favorizojë zhvillimin e rrebesheve të izoluara të shiut, kryesisht në zonat veriore dhe verilindore, si Bajram Curri, Puka dhe Kukësi, ku reshjet pritet të jenë më të theksuara.
Në përgjithësi, moti gjatë ditëve në vijim do të mbetet i qëndrueshëm, me temperatura tipike verore dhe reshje të kufizuara vetëm në disa zona malore gjatë orëve të pasdites.

Be First to Comment