Skip to content

LAJM I TRISHTË/ Ndërron jetë aktori i njohur shqiptar, arti në zi

Shuhet në moshën 99-vjeçare aktori i madh Koço Qendro, ikonë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare

Arti shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Koço Qendro, i cili u shua në moshën 99-vjeçare. Ai ishte një nga figurat më të respektuara të teatrit, estradës dhe kinematografisë shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike.

Koço Qendro ishte ndër themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës në fillim të viteve ’60 dhe për dekada me radhë ishte pjesë e trupës së Teatrit “Andon Zako Çajupi”, ku interpretoi dhjetëra role që fituan zemrat e publikut. Për kontributin e tij të çmuar në art dhe kulturë, ai u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri”, si edhe me titullin “Ambasador i Qarkut të Korçës”.

I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Koço Qendro e ndërtoi karrierën e tij artistike në Korçë, qytet me të cilin lidhi jetën dhe u shndërrua në një nga emrat më përfaqësues të skenës shqiptare.

Një nga interpretimet më të paharrueshme të karrierës së tij ishte roli i Harpagonit në komedinë “Kopraci” të Molierit. Ai e solli këtë personazh në skenë në periudha të ndryshme të jetës, duke u rikthyer edhe në moshë të thyer dhe duke dëshmuar se dashuria për artin nuk njeh moshë.

Gjurmë të rëndësishme Koço Qendro la edhe në kinematografi, me role në filma të njohur si “I teti në bronz”, “Përballimi”, “Agimet e stinës së madhe”, “Vendimi” dhe shumë prodhime të tjera që sot konsiderohen pjesë e fondit të artë të filmit shqiptar.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humb një artist të madh, ndërsa publiku një emër që do të kujtohet gjithmonë për talentin, përkushtimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *