Rama: Po dëgjojmë me vëmendje protestuesit, por nuk mund të justifikohet dhuna
Kryeministri Edi Rama komentoi bonusin prej 50 mijë lekësh të ndarë këtë vit për pensionistët, duke theksuar se ai nuk ka lidhje me fushata zgjedhore, por është rezultat i rritjes së të ardhurave në buxhet.
Sipas tij, qeveria vendosi që të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës gjatë krizës ndërkombëtare të mos mbeteshin në buxhetin e shtetit, por t’u shpërndaheshin pensionistëve në formën e bonusit.
“Vitin e kaluar u tha se bonusi ishte për fushatë, por kjo nuk qëndron. Nuk kemi zgjedhje tani, ato janë në vitin 2029. Çdo e ardhur shtesë nga rritja e çmimit të naftës ia kemi kthyer pensionistëve dhe jo buxhetit të shtetit”, u shpreh Rama.
Duke folur për protestat e zhvilluara në bulevard, kreu i qeverisë tha se i ndjek me vëmendje mesazhet që vijnë nga qytetarët, duke bërë dallimin mes atyre që protestojnë për shqetësime reale dhe personave që, sipas tij, nxisin tensione dhe akte dhune.
Rama deklaroi se shumë prej protestuesve kanë halle të vërteta dhe meritojnë të dëgjohen, por shtoi se në protesta ka edhe individë që, sipas tij, përpiqen ta zhvendosin fokusin drejt përplasjeve dhe incidenteve me policinë.
Ai theksoi se qeveria do të vazhdojë të ndjekë me kujdes kërkesat e qytetarëve, ndërsa dënoi çdo formë dhune gjatë tubimeve publike.

Be First to Comment