Koncerti i artistit amerikan Kanye West në Tiranë ka vijuar të jetë në qendër të debatit publik, jo vetëm për pjesëmarrjen masive të fansave, por edhe për polemikat që shoqëruan organizimin e tij.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku gjatë eventit dëgjohen disa pjesëmarrës duke brohoritur slogane kundër kryeministrit Edi Rama. Pamjet janë bërë virale dhe kanë nxitur reagime të shumta në internet.
Debati u intensifikua pas vendimit të qeverisë për të miratuar një Akt Normativ, përmes të cilit u akorduan rreth 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit për mbështetjen e organizimit të koncertit.
Ky vendim ka shkaktuar diskutime të gjera në opinionin publik, ndërsa ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë politikë kanë ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e këtyre fondeve për një aktivitet të këtij lloji.
Ndërkohë, prej javësh në Tiranë zhvillohen protesta të përditshme, ku mes kërkesave të protestuesve është edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Pamjet e publikuara nga koncerti dhe reagimet që pasuan kanë shtuar më tej debatet rreth organizimit dhe financimit të këtij eventi.

Be First to Comment