Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje të re për sigurinë e Ukrainës, e cila sipas tij mund të shtrihet përtej kufijve të këtij vendi dhe të përfshijë të gjithë Evropën. Deklarata vjen pas takimit të zhvilluar të enjten me një përfaqësues të lartë të Rusisë.
Megjithatë, Trump nuk dha detaje konkrete mbi përmbajtjen e marrëveshjes së propozuar, ndërsa mbetet e paqartë se si do të reagojnë vendet evropiane ndaj kësaj nisme.
“Do të jetë një marrëveshje shumë e madhe. Nuk do të përfshijë vetëm Ukrainën, por mund të shtrihet edhe në të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e jashtëzakonshme dhe fantastike, nga e cila të gjithë do të dalin të kënaqur”, deklaroi presidenti amerikan para gazetarëve, shkruan A2 CNN.
Komentet e Trump u bënë pas takimit me Kirill Dmitriev, drejtuesin e Fondit Sovran të Pasurisë së Rusisë, i cili është gjithashtu një nga përfaqësuesit e presidentit rus Vladimir Putin në kontaktet me administratën amerikane. Dmitriev është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.
Trump ka deklaruar disa herë më parë se synon të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, por deri më tani përpjekjet nuk kanë prodhuar një zgjidhje përfundimtare.
Ndërkohë, Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, reagoi gjithashtu përmes një postimi në rrjetin social X. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një kuadri më të gjerë të sigurisë evropiane, i cili do të merrte parasysh shqetësimet e të gjitha palëve.
Sipas Kushner, një arkitekturë e tillë sigurie do të ndihmonte në uljen e rrezikut të konflikteve të reja dhe do të krijonte kushte më të qëndrueshme e të parashikueshme për të ardhmen e kontinentit.
