OBSH paralajmëron: Europa përballet me një tjetër valë të rrezikshme të nxehti
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për një valë të re temperaturash ekstreme që pritet të prekë Europën, duke paralajmëruar se javët në vijim mund të jenë edhe më të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius gjatë ditëve të ardhshme.
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, ka zhvilluar një takim urgjent me përfaqësues nga 41 vende të rajonit, Komisionin Europian dhe organizata të shoqërisë civile, ku është diskutuar ndikimi i valëve të të nxehtit dhe masat që duhet të ndërmerren për përballimin e situatës.
Kluge ka theksuar se vendet që kishin përgatitur plane të veçanta veprimi arritën të reagonin më shpejt dhe të mbronin më mirë popullsinë gjatë valës së të nxehtit në fund të muajit qershor. Megjithatë, sipas OBSH-së, më pak se gjysma e vendeve anëtare kanë aktualisht një plan të plotë për përballimin e temperaturave ekstreme.
Ekspertët kanë vlerësuar se vala e të nxehtit nga 20 deri më 28 qershor ishte ndër më të rëndat e regjistruara ndonjëherë në Europë. Temperaturat rekord shkaktuan probleme në furnizimin me energji, dëmtime në infrastrukturë dhe presion të madh mbi sistemet shëndetësore.
Vetëm në Francë, Holandë dhe Belgjikë janë raportuar rreth 3.700 vdekje shtesë gjatë kësaj periudhe, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri mund të ndryshojë pasi të dhënat aktuale janë ende paraprake.

Be First to Comment