Avokati Idajet Beqiri është shprehur se pret që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të lirohet nga paraburgimi brenda 10 ditëve, pas rishqyrtimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit.
Sipas Beqirit, Apeli duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si edhe të marrë në konsideratë qëndrimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili ka kërkuar rishikimin e vendimit për masën e sigurisë “arrest me burg”.
“Gjykata e Apelit është e detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vlerësuar se vendimi për arrestin me burg duhet të rishikohet, pasi nuk është mbështetur në vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë. Arresti me burg është një masë e jashtëzakonshme dhe, në rastin e Erion Veliajt, unë mendoj se gjykata nuk do të vendosë as arrest shtëpie, por masën ‘detyrim paraqitje’”, deklaroi Beqiri.
Ai shtoi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese pritet të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të çështjes në Apel, duke theksuar bindjen e tij se brenda 10 ditëve Veliaj mund të lirohet dhe ndaj tij të vendoset masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Be First to Comment