Skip to content

Paralajmërim urgjent nga mjekët për valën e të nxehtit

Mjekët japin alarmin për vapën, temperaturat e larta rrisin rrezikun për shëndetin

Temperaturat e larta që po shoqërojnë ditët e verës po shtojnë shqetësimet për ndikimin e tyre në shëndetin e qytetarëve. Mjekët e Urgjencës Polivalente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj vapës mund të çojë në komplikacione serioze, përfshirë goditjen nga i nxehti, humbjen e vetëdijes dhe, në raste të rënda, gjendje komatoze.

Sipas mjekëve, deri tani nuk janë regjistruar raste të goditjes nga i nxehti, por kjo mbetet një nga rreziqet kryesore gjatë sezonit veror. Ata bëjnë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa shërbimi i urgjencës po përballet me një fluks të lartë pacientësh.

Aktualisht, në Urgjencën Polivalente paraqiten çdo ditë mbi 400 pacientë, ku pjesa më e madhe janë persona që vuajnë nga sëmundje kronike. Temperaturat e larta mund të përkeqësojnë gjendjen e tyre shëndetësore, ndaj mjekët rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe qëndrimin në ambiente të freskëta.

Edhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të zbatojnë masat parandaluese për të reduktuar rrezikun nga temperaturat ekstreme.

Sipas ekspertëve, grupet më të rrezikuara janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën moshën 5 vjeç, të cilët kanë nevojë për mbrojtje të veçantë gjatë ditëve me temperatura të larta.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *