Ndërsa protestat në Tiranë vijojnë prej më shumë se një muaji, në fokus të tyre mbetet kundërshtimi ndaj projektit të zhvillimit në Zvërnec. Demonstruesit kërkojnë, mes të tjerash, ndalimin e projektit dhe kanë ngritur akuza ndaj qeverisë lidhur me këtë investim.
Në të njëjtën kohë, në Zvërnec po bëhen përgatitjet për një festival të madh të muzikës elektronike, i cili pritet të mbledhë mijëra pjesëmarrës nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Sipas organizatorëve, festivali do të zhvillohet nga 9 deri më 12 korrik dhe do të ofrojë muzikë pa ndërprerje në tre skena, me pjesëmarrjen e mbi 50 artistëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Reklamat promovuese të aktivitetit janë shfaqur në ekrane të ndryshme në Tiranë, duke ftuar të rinjtë të marrin pjesë në festivalin që do të zhvillohet në bregdetin e Zvërnecit.
Kontrasti mes protestave që kanë në qendër pikërisht këtë zonë dhe organizimit të një eventi të madh muzikor ka tërhequr vëmendjen dhe ka nxitur diskutime në opinionin publik.

Be First to Comment