Ambasada e SHBA-së lëshon paralajmërim për shqiptarët që udhëtojnë me vizë turistike
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në SHBA me vizë turistike.
Në deklaratën zyrtare, ambasada kujton se përdorimi i vizës turistike për qëllime që nuk përputhen me arsyen e deklaruar gjatë aplikimit mund të sjellë pasoja në aplikimet e ardhshme për vizë.
Sipas njoftimit, autoritetet amerikane kanë evidentuar raste kur persona kanë udhëtuar drejt SHBA-së për të lindur fëmijët, ndërsa shpenzimet mjekësore janë mbuluar përmes programit publik Medicaid. Ambasada thekson se ky program financohet nga taksapaguesit amerikanë dhe përdorimi i tij në këto rrethana mund të ndikojë në vlerësimin e kërkesave të ardhshme për vizë.
Në paralajmërim thuhet se prindërit që përdorin vizën turistike për këtë qëllim mund të mos kualifikohen për rinovimin e vizës në të ardhmen.
Autoritetet amerikane rikujtojnë se çdo vizë duhet të përdoret në përputhje me kushtet për të cilat është lëshuar. Çdo shkelje e këtyre rregullave ose përdorim i papërshtatshëm i programeve publike mund të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të aplikimeve të ardhshme për hyrje ose rinovim të vizës amerikane.

Be First to Comment