Një diskutim i zhvilluar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan ka rikthyer në vëmendje një temë delikate, por me rëndësi për shëndetin publik: problemet e funksionit erektil te meshkujt shqiptarë.
I ftuar në studio, mjeku gjinekolog Avenir Balili u shpreh se rastet e impotencës po hasen gjithnjë e më shpesh, veçanërisht te të rinjtë, duke e cilësuar fenomenin si një shqetësim që shkon përtej aspektit mjekësor.
Sipas Balilit, në rritjen e këtyre problemeve ndikojnë disa faktorë, mes të cilëve ndryshimet në stilin e jetesës pas hapjes së vendit, konsumimi i lëndëve narkotike dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj materialeve pornografike.
Mjeku theksoi se pornografia mund të ndikojë në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë marrëdhëniet intime, duke sjellë vështirësi në jetën seksuale dhe, në disa raste, probleme me funksionin erektil.
“Meshkujt në ditët e sotme kanë më shumë probleme me funksionin erektil sesa me aftësinë riprodhuese. Kjo vihet re edhe te meshkujt shqiptarë. Disa e pranojnë hapur, ndërsa të tjerë zgjedhin ta fshehin. Faktorët janë të shumtë, duke nisur nga ndryshimet shoqërore, konsumimi i drogave dhe pornografia”, u shpreh Balili.

Be First to Comment