Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, ku një 40-vjeçar humbi jetën pas një sulmi me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Aleksandër Koçeku, i cili, sipas informacioneve paraprake, po udhëtonte nga Kiri i Dukagjinit në drejtim të Prekalit, kur u qëllua me breshëri plumbash pranë fshatit Lin.
Sipas të dhënave të para, autorët dyshohet se i kishin zënë pritë viktimës në një segment rrugor malor me qarkullim të pakët, duke përfituar nga errësira dhe mungesa e kamerave të sigurisë për të kryer atentatin.
Të afërm të familjes kanë bërë të ditur se familja Koçeku ka pasur një konflikt të hershëm gjakmarrjeje. Viktima ishte vëllai i Artan Koçekut, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2017.
Një i afërm i viktimës deklaroi se konflikti mes familjeve ishte i njohur prej kohësh dhe se Aleksandër Koçeku merrej kryesisht me biznesin familjar, duke punuar në një furrë buke në Shkodër.
Sipas hetimeve të zhvilluara për ngjarjen e vitit 2017, dyshohej se motivi i vrasjes së Angjelin Shkambit lidhej me një borxh prej rreth 40 mijë eurosh, ndërsa në dosjen hetimore përmendej edhe një konflikt me motive personale.
Autoritetet kishin bërë të ditur se Artan Koçeku kishte organizuar takimin me viktimën përmes rrjeteve sociale, pasi kishte përfituar leje nga institucioni ku vuante dënimin për një çështje tjetër penale.
Ndërkohë, forca të shumta policie dhe grupi hetimor kanë kryer veprimet në vendin e ngjarjes, duke mbledhur prova dhe dëshmi që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit ose autorëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e kësaj vrasjeje.

Be First to Comment