Ambasada Amerikane jep paralajmërim për protestat në Tiranë: U bën thirrje qytetarëve të shmangin zonat e grumbullimeve
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri, duke i paralajmëruar për protestat që po zhvillohen në kryeqytet.
Në njoftim thuhet se, edhe pse protestat mund të nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi dhe të përshkallëzohet. Sipas ambasadës, tubimet mund të shtrihen në zona të ndryshme të qytetit, veçanërisht pranë institucioneve shtetërore.
Përfaqësia diplomatike paralajmëron gjithashtu për prani të shtuar të forcave të policisë, bllokime të përkohshme të rrugëve, devijime të trafikut dhe kufizime të lëvizjes gjatë zhvillimit të protestave.
Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kenë një plan veprimi në rast se situata ndryshon.
Ambasada këshillon gjithashtu monitorimin e vazhdueshëm të mediave lokale për informacionet më të fundit, shmangien e lëvizjeve të panevojshme në zonat e prekura nga protestat dhe tregimin e kujdesit të shtuar gjatë qëndrimit në ambiente publike.
Njoftimi është publikuar në një periudhë kur protestat në Tiranë po vazhdojnë prej disa ditësh, ndërsa autoritetet shqiptare kanë forcuar masat e sigurisë në zonat përreth institucioneve kryesore të vendit.

Be First to Comment