Një fluturim i kompanisë Ryanair nga Londra drejt Tiranës, që parashikohej të zgjaste rreth katër orë, përfundoi duke zgjatur mbi 12 orë për shkak të motit të pafavorshëm, devijimeve të njëpasnjëshme dhe incidenteve të krijuara gjatë udhëtimit.
Sipas Daily Mail, fluturimi RK8288, i nisur më 3 qershor, nuk arriti të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Fillimisht avioni u devijua drejt Brindisit në Itali, ndërsa më pas u drejtua për në Selanik të Greqisë, përpara se të mbërrinte në Tiranë në orët e para të mëngjesit.
Pritja e gjatë në pistë dhe në ajër krijoi tensione mes pasagjerëve. Sipas raportimit, disa prej tyre, të cilët kishin konsumuar alkool para dhe gjatë fluturimit, u përfshinë në debate me ekuipazhin. Një pasagjer u neutralizua nga një stjuardesë pasi nuk respektoi udhëzimet e stafit.
Pakënaqësia u shtua edhe për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit, si dhe pasigurisë mbi vijimin e udhëtimit. Në Selanik, një grup udhëtarësh kërkuan të zbrisnin nga avioni dhe kundërshtuan vendimin për të vazhduar fluturimin, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e policisë greke për të qetësuar situatën.
Një pasagjer, që foli në kushte anonimiteti për median britanike, deklaroi se gjatë gjithë udhëtimit kishte konsumuar vetëm një pako patatina, pasi furnizimet në bord ishin shteruar.
Pas më shumë se 12 orësh udhëtim, avioni u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku mbërritja u prit me duartrokitje nga pasagjerët.
Në një reagim për Daily Mail, Ryanair sqaroi se devijimet u diktuan nga moti i keq në Tiranë dhe më pas nga një stuhi mbi Selanik. Kompania theksoi se, sapo kushtet atmosferike u përmirësuan, fluturimi vijoi drejt Tiranës, ndërsa pasagjerët u mbajtën të informuar gjatë gjithë kohës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Be First to Comment