Skip to content

Si të kuptoni nëse djathi është i vërtetë? Eksperti tregon shenjat që zbulojnë përbërjen e tij

Si ta dalloni djathin cilësor? Eksperti tregon çfarë duhet të kontrollojnë konsumatorët

Si mund të kuptojë një konsumator nëse djathi që blen është natyral apo përmban përbërës zëvendësues si niseshte? Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “Mes Drite” në Vizion Plus, ku i ftuar ishte dekani dhe eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj.

Sipas ekspertit, prania e niseshtesë në djathë nuk mund të përcaktohet vetëm nga pamja apo shija e produktit, por kërkon analiza laboratorike.

“Një ekspert mund të dyshojë për praninë e shtesave si amidoni apo niseshteja, por vetëm testet specifike mund ta konfirmojnë me saktësi. Përmes indikatorëve të ndryshimit të ngjyrës mund të zbulohet prania e këtyre përbërësve”, shpjegoi Sulaj.

Ai theksoi se përdorimi i niseshtesë në djathërat që tregtohen në Shqipëri është ulur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, pasi identifikimi i saj është relativisht i thjeshtë.

Etiketa, aroma dhe përbërja – treguesit kryesorë

Eksperti këshilloi konsumatorët që para blerjes të kontrollojnë me kujdes etiketën. Një djathë cilësor duhet të ketë një përbërje të thjeshtë, ku përfshihen kryesisht qumështi, fermentet bakteriale, majaja dhe kripa.

Edhe aroma mund të japë një ide për llojin e produktit. Djathërat e prodhuar nga qumështi i dhisë apo deles kanë aromë më karakteristike, ndërsa djathi i lopës zakonisht ka një aromë më të lehtë. Në rastet kur përdoret qumësht i përzier, kjo duhet të jetë e deklaruar në etiketë.

Çmimi nuk është gjithmonë garanci për cilësinë

Sulaj u shpreh se produktet me çmime shumë të ulëta duhet të shihen me kujdes, pasi prodhimi i djathit kërkon një sasi të madhe qumështi.

“Për të prodhuar një kilogram djathë nevojiten rreth 10 litra qumësht lope, ndaj djathi është një produkt me kosto të lartë”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, edhe një çmim i lartë nuk është domosdoshmërisht tregues i cilësisë, pasi çmimet ndikohen edhe nga tregu dhe konkurrenca.

Kujdes me produktet jashtë kushteve të ruajtjes

Eksperti këshilloi qytetarët të shmangin blerjen e djathit në ambiente ku mungojnë kushtet higjieno-sanitare dhe zinxhiri i ftohjes.

Sipas tij, marketet dhe prodhuesit artizanalë që respektojnë standardet ofrojnë alternativa më të sigurta për konsumatorët.

Ai kujtoi gjithashtu se legjislacioni shqiptar dhe ai i Bashkimit Evropian nuk lejojnë përdorimin e niseshtesë në djathë, ndërsa çdo përbërës tjetër zëvendësues duhet të deklarohet qartë në etiketë.

Zgjedhja e produkteve me përbërje të qartë, të ruajtura siç duhet dhe nga prodhues të kontrolluar mbetet mënyra më e mirë për të siguruar një ushqim të sigurt dhe cilësor.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *