Debati mes analistit Lutfi Dervishi dhe deputetes së Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe disa ditë pas intervistës që u bë virale.
Gjithçka nisi kur Dervishi e pyeti deputeten: “Si e shpjegon shpartallimin e euros?”, ndërsa Çakërri u përgjigj shkurt: “Është forcuar leku!”. Deklarata e saj, e shoqëruar me faktin se kishte përfunduar studimet për Financë, nxiti reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale.
Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me sipërmarrësit. Pa e përmendur me emër Lutfi Dervishin, ai kritikoi mënyrën se si ishte trajtuar debati, duke vënë në dyshim kompetencën e analistit në fushën e ekonomisë dhe financës.
“E pashë në një nga ato videot që sjell algoritmi. Fliste me pamjen e një kompetenti, por pa pasur as shkollë për ekonomi e financë, as trajnim në këtë fushë dhe as eksperiencë pune, përveç industrisë së llafeve dhe thashethemeve”, u shpreh Rama.
Kryeministri mbrojti edhe qëndrimin e deputetes, duke theksuar se është më e saktë të thuhet se leku është forcuar, sesa se euro ka rënë.
“Sikur u kap një gabim i madh kur u tha se është forcuar leku. Në fakt, nuk ka rënë euro, por është rritur vlera e lekut. Leku sot pasqyron një ekonomi ndryshe nga ajo e pesë viteve më parë”, deklaroi ai.
Debati fillestar u zhvillua në studion e A2 CNN, ku Briseida Çakërri dhe Lutfi Dervishi diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë kursin e këmbimit euro-lek, protestat dhe fondet e akorduara nga qeveria për koncertin e Kanye West.

Be First to Comment