Vjedhje e rëndë në nënstacionin elektrik të Draçevës, dëmi vlerësohet në rreth 5 milionë euro
Një vjedhje e përmasave të mëdha është regjistruar në nënstacionin elektrik tërheqës në Draçevë, i vendosur mes stacioneve hekurudhore Lisiçe dhe Draçevë. Si pasojë e dëmtimit të rëndë të pajisjeve energjetike, objekti është nxjerrë plotësisht jashtë funksionit.
Sipas njoftimit të NP “M? Infrastrukturë”, autorët kanë rrëzuar me forcë dy transformatorë elektrikë, secili me peshë mbi 30 tonë. Më pas ata kanë nxjerrë vajin e transformatorëve dhe kanë vjedhur mbështjelljet e bakrit, si dhe pjesë të tjera me vlerë.
Nga nënstacioni janë marrë gjithashtu kabllo bakri, shina dhe shufra bakri, si dhe pothuajse të gjitha pajisjet e domosdoshme për funksionimin e tij, duke e lënë objektin tërësisht jashtë përdorimit.
Sipas vlerësimeve paraprake, dëmi material i shkaktuar arrin në rreth 5 milionë euro.
Nga NP “M? Infrastrukturë” bëjnë të ditur se nuk bëhet fjalë vetëm për një vjedhje të zakonshme, por për një sulm serioz ndaj infrastrukturës kritike hekurudhore dhe pronës shtetërore.
“Dëmtimi i objekteve të tilla mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë, stabilitetin dhe funksionimin normal të trafikut hekurudhor”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes.
Autoritetet kompetente janë thirrur të zhvillojnë një hetim të plotë dhe urgjent për zbardhjen e rastit, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë, së bashku me çdo person të përfshirë në transportimin apo shitjen e materialeve të vjedhura.


Be First to Comment