Një tërmet i fuqishëm ka goditur zonën e Kampit Flegrei në Itali, duke u ndjerë fort edhe në Napoli dhe provincat përreth. Lëkundja kryesore u regjistrua në orën 19:46 dhe, sipas vlerësimeve paraprake të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), kishte magnitudë 4.7, duke u konsideruar më e forta e regjistruar ndonjëherë në këtë zonë.
Pas tërmetit kryesor, janë regjistruar edhe disa pasgoditje, ndërsa njëra prej tyre, rreth orës 22:00, u ndje sërish me intensitet të lartë. Paniku përfshiu banorët, të cilët dolën menjëherë në rrugë nga frika e lëkundjeve të tjera.
Dëmet më të mëdha janë raportuar në Pozzuoli, ku autoritetet kanë nisur verifikimet në terren. Një mur mbrojtës pranë linjës hekurudhore Cumana u shemb mbi shina, por fatmirësisht nuk pati trena në momentin e incidentit. Për arsye sigurie, qarkullimi në disa linja hekurudhore u pezullua.
Në disa zona janë raportuar rrëshqitje shkëmbinjsh, rënie suvash dhe dëmtime në ndërtesa. Disa banorë mbetën të bllokuar në banesat e tyre për shkak të deformimit të dyerve, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë për t’i ndihmuar.
Prefektura aktivizoi menjëherë Qendrën e Koordinimit të Emergjencave, ndërsa kryebashkiaku i Pozzuolit u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare.
Sipas INGV-së, tërmeti lidhet me fenomenin e bradiseizmit, një proces gjeologjik që shkakton ngritjen graduale të tokës në zonën e Kampit Flegrei. Instituti thekson se një lëkundje me magnitudë 4.7 nuk ishte regjistruar më parë në këtë kontekst.
Nga Roma, autoritetet italiane konfirmuan se Kryeministrja Giorgia Meloni po ndjek nga afër situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencës.
Lëkundjet u ndjenë në shumë zona të Napolit, ku u raportuan edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me rrjetin telefonik. Banorët përshkruan momente paniku, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kontrollet për dëme të tjera të mundshme.
Autoritetet kanë bërë të ditur se monitorimi i aktivitetit sizmik po vazhdon dhe u kanë kërkuar qytetarëve të ndjekin vetëm informacionet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës.
https://x.com/NotizieFrance/status/2083264837027557553


Be First to Comment