Skip to content

Tiranathlon të dielën/ Ja rrugët që do të bllokohen dhe linjat urbane që do të devijojnë

Tirana bllokon disa rrugë të dielën për Tiranathlon 2026, ja segmentet ku ndalohet qarkullimi

Tirana do të presë të dielën, më 27 shtator, edicionin e radhës të “Tiranathlon 2026”, aktiviteti sportiv që bashkon në një garë tre disiplina: notin, çiklizmin dhe vrapin.

Për zhvillimin normal të aktivitetit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka përcaktuar një plan të posaçëm për kufizimin dhe devijimin e qarkullimit të automjeteve.

Bllokimet do të jenë në fuqi nga ora 08:00 deri në 13:00, në disa segmente rrugore:

  • Rruga “Dajtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”, përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”.
  • Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri”, në segmentin nga ura e Shkozës deri te kryqëzimi me rrugët “Selman Riza” dhe “Kastriot Feska”.
  • Rruga interurbane kryesore TEG–Ura e Shkozës.
  • Segmenti i Unazës së Madhe, nga nyja e Rrethrrotullimit të Freskut deri në TEG. Automjetet do të devijohen drejt Rrethrrotullimit të Freskut, me dalje në rrugën “Xhanfize Keko”.

Ndryshime do të ketë edhe në qarkullimin e transportit publik. Linja 10/A “Materniteti i Ri – Qendër – Ish-Fusha e Aviacionit” do të devijohet përkohësisht te ura e Brrylit, ndërsa linja 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish-Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht.

Ndërkohë, mjetet e emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit do të vijojnë të qarkullojnë normalisht në të gjitha segmentet e përfshira në planin e masave.

Bashkia e Tiranës dhe strukturat e Policisë Rrugore do të angazhohen për zbatimin e masave dhe menaxhimin e trafikut gjatë zhvillimit të aktivitetit.

Published inNews Shqip