Goditet laboratori i kokainës në Itali, 5 të arrestuar, mes tyre edhe një shqiptar
Autoritetet italiane kanë zbuluar një laborator të fshehtë për përpunimin e kokainës, duke goditur një aktivitet të dyshuar të trafikut të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u arrestuan pesë persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar. Të dyshuarit përballen me akuza për prodhim, përpunim dhe posedim të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve, gjatë aksionit u sekuestruan rreth 18.2 kilogramë kokainë, e paketuar në 18 ambalazhe, si dhe një sasi tjetër që ndodhej ende në proces rafinimi.
Në laborator u gjetën gjithashtu 8.810 euro para në dorë, një makinë për numërimin e parave, orë luksoze, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Policia sekuestroi edhe telefona celularë, një laptop dhe dokumente me shënime që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Gjatë kontrolleve u zbuluan edhe substanca prerëse, tretës kimikë dhe pajisje të përdorura për përpunimin dhe rafinimin e kokainës.
Sipas mediave italiane, zona ku funksiononte laboratori u izolua nga karabinierët e Romës, ndërsa specialistët kryen ekspertiza për të përcaktuar mënyrën e përpunimit të drogës dhe sasinë totale të lëndës narkotike.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit dhe rolin e secilit prej personave të arrestuar.


Be First to Comment