Aksident tragjik në SHBA, 13-vjeçari me makinë të vjedhur shkakton përplasje fatale
Një aksident i rëndë në shtetin Maryland të SHBA-së ka përfunduar me një viktimë dhe disa të plagosur, pasi një automjet i drejtuar nga një 13-vjeçar u përplas me një tjetër makinë.
Sipas autoriteteve, në timonin e automjetit ndodhej një djalë 13-vjeçar, ndërsa brenda makinës ndodheshin edhe gjashtë të mitur të tjerë, të moshave nga 12 deri në 15 vjeç.
Policia e Qarkut Montgomery bëri të ditur se automjeti tip “Kia” ishte raportuar i vjedhur vetëm disa orë para aksidentit nga një banesë në zonën e Germantown.
Nga hetimet paraprake rezulton se makina e drejtuar nga 13-vjeçari po lëvizte në drejtim të veriut, kur hyri në një kryqëzim dhe u përplas me një automjet tjetër tip “Toyota Matrix” që po udhëtonte në drejtim të lindjes.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i Toyota-s, 58-vjeçari William Vance Payne II nga Virginia, humbi jetën në vendngjarje.
Ekipet e policisë dhe emergjencës mbërritën në vend rreth orës 05:25 të mëngjesit dhe gjetën automjetin e vjedhur të përmbysur, ndërsa pasagjerët ishin të bllokuar brenda tij.
13-vjeçari u transportua në spital në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Edhe gjashtë të miturit e tjerë pësuan lëndime të ndryshme dhe po marrin trajtim mjekësor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën se si i mituri ka arritur të marrë automjetin dhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.


Be First to Comment