Tragjedi në Kretë, turistja holandeze humb jetën gjatë një shëtitjeje me varkë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën detare pranë Malias në Kretë, ku një 42-vjeçare nga Holanda humbi jetën pas një incidenti gjatë një udhëtimi me varkë.
Sipas raportimeve të mediave greke, gruaja kishte marrë me qira një varkë të vogël me fuqi 30 kuaj fuqi së bashku me një shoqe tjetër holandeze. Dy gratë kishin dalë për lundrim me tre fëmijët e tyre të mitur, kur ndodhi ngjarja tragjike.
Rrethanat e sakta të incidentit ende nuk janë zbardhur. Autoritetet po hetojnë nëse 42-vjeçarja kishte hyrë në ujë për të notuar apo nëse kishte humbur ekuilibrin dhe kishte rënë aksidentalisht nga varka.
Kur shoqja e saj vuri re mungesën e saj, ajo u hodh menjëherë në det për ta ndihmuar. Ndërkohë, tre fëmijët që ndodheshin në varkë, të moshave nga 4 deri në 15 vjeç, të frikësuar dhe të tronditur, kërkuan ndihmë duke u bërë shenjë varkave që kalonin aty pranë.
Personat e parë që mbërritën në vendngjarje e gjetën gruan pa ndjenja, ndërsa mbahej nga shoqja e saj në ujë. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 42-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.
Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të sqarojë nëse bëhej fjalë për mbytje apo për një problem të papritur shëndetësor.
Autoritetet portuale kanë bërë të ditur se për varkat me fuqi deri në 30 kuaj fuqi zakonisht nuk kërkohet licencë drejtimi, gjë që bën që shumë turistë t’i përdorin ato për dalje të shkurtra në det.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë vijojnë, ndërsa ngjarja ka lënë të prekur të gjithë, veçanërisht tre fëmijët që humbën nënën e tyre.


Be First to Comment