Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, pritet të vijojë ndryshimet në trupën diplomatike shqiptare, me lëvizje të reja në përfaqësitë diplomatike në rajon.
Pas zhvendosjes së Uran Ferizit nga posti i ambasadorit të Shqipërisë në Londër drejt misionit shqiptar pranë OSBE-së në Vjenë, ndryshimet pritet të prekin edhe ambasadat në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas “Report TV”, ministri Hoxha pritet të propozojë Petrit Malajn për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Malaj ka shërbyer për rreth tre vite si ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Në Prishtinë, vendin e tij pritet ta marrë Denion Meidani, i cili aktualisht ushtron detyrën e ambasadorit shqiptar në Shkup.
Për këto ndryshime në trupën diplomatike, të dy diplomatët pritet të paraqiten në ditët në vijim për dëgjesë në Komisionin për Politikën e Jashtme, përpara vijimit të procedurave përkatëse të emërimit.
