Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, pritet të vijojë me ndryshimet në trupën diplomatike shqiptare, ku në fokus janë edhe përfaqësuesit diplomatikë në rajon.
Pas lëvizjes së Uran Ferizit nga posti i ambasadorit të Shqipërisë në Londër drejt misionit shqiptar në OSBE, në Vjenë, ndryshime të reja pritet të ketë edhe në ambasadat shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas “Report TV”, Petrit Malaj pritet të emërohet ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Malaj ka shërbyer prej rreth tre vitesh si ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Në Prishtinë, vendin e tij pritet ta marrë Denion Meidani, i cili aktualisht mban postin e ambasadorit shqiptar në Shkup.
Për ndryshimet e propozuara në përfaqësitë diplomatike shqiptare në rajon, të dy diplomatët pritet të zhvillojnë dëgjesën përkatëse në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme gjatë ditëve në vijim.
