Skip to content

Vuçiç largohet nga presidenca dhe u lë një “amanet” serbëve: “Mos hiqni dorë kurrë nga Kosova”

Vuçiç jep dorëheqjen si president i Serbisë, mesazhi për Kosovën në fjalimin e fundit

Aleksandër Vuçiç ka formalizuar dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë, duke i hapur rrugë përfshirjes së tij në garën e ardhshme parlamentare si qytetar i zakonshëm.

Dorëheqja, e paralajmëruar më herët nga vetë Vuçiç, u zyrtarizua mbrëmjen e sotme në Presidencën serbe, pak pasi ai iu drejtua qytetarëve në fjalimin e tij të fundit si president.

Në përmbyllje të fjalës, Vuçiç u ndal te çështja e Kosovës, një prej temave më të ndjeshme për politikën e Beogradit. Ai u bëri thirrje serbëve që, sipas tij, të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre për Kosovën dhe Metohinë.

“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe Metohi dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, me arsyetimin se kështu nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj. Qytetarët le të mendojnë vetë”, deklaroi Vuçiç.

Gjatë fjalimit, ai foli gjithashtu për prioritetet që, sipas tij, duhet të ketë Serbia në vitet e ardhshme. Vuçiç përmendi zhvillimin ekonomik, inovacionin, inteligjencën artificiale dhe robotikën, duke theksuar nevojën që vendi të mos mbetet pas në zhvillimet teknologjike.

Ai foli edhe për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me aleatët tradicionalë të Beogradit në Lindje.

Duke iu referuar zhvillimeve teknologjike dhe garës mes fuqive të mëdha, Vuçiç tha se Serbia duhet të përshpejtojë zhvillimin e saj ekonomik dhe të investojë më shumë në teknologjitë e reja.

Pas përfundimit të fjalimit, Vuçiç nënshkroi zyrtarisht letrën e dorëheqjes në Presidencën serbe. Ai bëri të ditur se synon të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në një tjetër rol, si qytetar i zakonshëm.

Kështu, pas largimit nga posti presidencial, Vuçiç pritet të vijojë aktivitetin e tij politik përmes garës parlamentare, duke e zhvendosur fokusin nga Presidenca drejt një faze tjetër të angazhimit të tij politik.

Published inNews Shqip