Kujdes shoferë! Objektet e lëna në makinë mund të kthehen në rrezik serioz gjatë një aksidenti
Me rritjen e udhëtimeve verore, autoritetet kanë shtuar kontrollet në rrugë dhe po i kushtojnë vëmendje edhe disa shkeljeve që shpesh neglizhohen nga drejtuesit e automjeteve, por që mund të kenë pasoja të rënda në rast përplasjeje.
Një prej tyre lidhet me sendet personale të lëna të pasiguruara brenda kabinës së makinës, si çantat, laptopët apo objekte të tjera që vendosen në sedilje. Në rast frenimi të menjëhershëm ose aksidenti, këto sende mund të marrin një forcë shumë të madhe dhe të shndërrohen në një rrezik për shoferin dhe pasagjerët.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe një objekt me peshë të vogël mund të shkaktojë dëmtime serioze kur hidhet me shpejtësi brenda automjetit. Për shembull, gjatë një përplasjeje me rreth 50 km/h, pesha e një sendi mund të shumëfishohet ndjeshëm, duke e bërë atë të godasë pasagjerët me forcë të madhe.
Një çantë e rëndë, një kompjuter portativ apo edhe një telefon celular i lënë në vendin e gabuar mund të shkaktojnë lëndime nëse nuk janë të vendosur në hapësira të sigurta si bagazhi apo ndarjet e posaçme të makinës.
Pavarësisht paralajmërimeve, shumë drejtues vazhdojnë t’i mbajnë sendet personale në sedilje, pa menduar për rrezikun që ato paraqesin në raste emergjente. Autoritetet kujtojnë se siguria në makinë nuk varet vetëm nga rripat e sigurimit, por edhe nga mënyra se si vendosen dhe transportohen objektet brenda automjetit.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që rripat e sigurimit të sediljeve të pasme të mbahen të lidhur edhe kur nuk ka pasagjerë, pasi kjo mund të ndihmojë në stabilizimin e sediljeve dhe në parandalimin e lëvizjes së ngarkesave nga bagazhi drejt kabinës gjatë një përplasjeje.
Një masë e thjeshtë kujdesi mund të bëjë një ndryshim të madh dhe të ndihmojë në mbrojtjen e jetës së shoferëve dhe pasagjerëve.


Be First to Comment