Skip to content

Pas ngjarjes së rëndë, Edi Rama del me reagimin e parë

Edi Rama reagon pas zjarrit në Krujë: “U shmang një bilanc tragjik”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke bërë të ditur se operacioni i forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore është mbyllur pa viktima apo banorë të lënduar.

Sipas Ramës, nga zjarri është shkatërruar një magazinë, ndërsa ndërhyrja e forcave në terren ka bërë të mundur shmangien e një situate edhe më të rëndë.

Kryeministri ka vlerësuar punën e ekipeve që u përballën me flakët në kushte të vështira, veçanërisht për shkak të erës së fortë dhe pamundësisë për të përdorur gjatë natës mjetet ajrore për shuarjen e zjarrit.

“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës”, shkruan Rama, duke vlerësuar angazhimin e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore.

Ai thekson se ndërhyrja është kryer në kushte veçanërisht të vështira dhe se puna e forcave në terren ka ndihmuar në shmangien e një bilanci më të rëndë.

Rama ka shprehur gjithashtu mirënjohje për efektivët dhe ekipet që kanë qenë në vijën e parë të përballjes me zjarret gjatë kësaj periudhe.

Në reagimin e tij, kryeministri ka publikuar edhe mesazhin e një banori të Krujës, i cili gjatë natës kishte kërkuar përforcime, duke vlerësuar njëkohësisht angazhimin e forcave në terren.

“Po punojnë si heronj, Zoti ia shpërbleftë, por era po e përhap me shumë shpejtësi. Nëse është e mundur për përforcime të tjera…”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e publikuar nga Rama.

Situata në zonën e Krujës është ndjekur nga afër nga autoritetet, ndërsa ekipet vijojnë angazhimin për monitorimin e vatrave dhe parandalimin e riaktivizimit të flakëve.

Published inNews Shqip