Ndryshon moti në Shqipëri, stuhi të fuqishme dhe përmbytje pas temperaturave përvëluese
Pas disa ditësh me temperatura ekstremisht të larta, moti ka ndryshuar papritur në disa zona të Shqipërisë.
Pasditen e së premtes, Pogradeci dhe fshatrat përreth janë përfshirë nga një stuhi e fuqishme me reshje të dendura shiu. Për shkak të intensitetit të reshjeve, disa rrugë të qytetit janë përmbytur, ndërsa ujërat kanë mbuluar edhe rrugën “Dëshmorët e Pojskës” dhe një pjesë të shëtitores së qytetit.
Moti i paqëndrueshëm ka prekur edhe jugun e vendit. Në Sarandë dhe Delvinë, reshjet e shiut janë shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Ndryshimi i motit vjen pas një jave me temperatura që arritën deri në 40°C në disa zona. Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë javës së ardhshme pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave në të gjithë vendin.
