Trupi i gjetur në Kanalin e Korinthit identifikohet, 49-vjeçarja me origjinë shqiptare
Trupi i një gruaje, i gjetur duke lundruar në Kanalin e Korinthit, është identifikuar nga autoritetet greke. Sipas mediave vendase, bëhet fjalë për një 49-vjeçare me shtetësi greke dhe origjinë shqiptare.
Ngjarja u raportua pak pas orës 08:00 të mëngjesit të së mërkurës, më 15 korrik, kur autoritetet u njoftuan për praninë e trupit në ujërat e kanalit.
Trupi u nxor nga uji nga një varkë private, në të cilën ndodheshin edhe efektivë të Rojës Bregdetare. Më pas, gruaja u transportua me ambulancë të EKAB drejt Spitalit të Përgjithshëm të Korinthit.
Sipas informacioneve të mediave greke, identifikimi u bë nga një i afërm i viktimës. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
