Skip to content

Aksion i befasishëm i Policisë/ Kontrollet “blic” sjellin mijëra gjoba dhe bllokime në të gjithë vendin

Kontrollet e Policisë së Tiranës në 48 orë, arrestohen 7 persona dhe bllokohen 34 automjete

Policia e Tiranës ka zhvilluar kontrolle të intensifikuara gjatë 48 orëve të fundit, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e shkeljeve ligjore në kryeqytet.

Sipas policisë, kontrollet kanë synuar kryesisht evidentimin e personave që mbajnë armë pa leje, posedojnë lëndë narkotike apo janë në kërkim, si dhe verifikimin e automjeteve luksoze, të blinduara, me xhama të errësuar përtej normave të lejuara dhe me modifikime që shkaktojnë zhurma të forta.

Gjatë operacionit janë kontrolluar 131 automjete dhe 213 shtetas. Pesë persona dhe automjete janë shoqëruar për verifikime të mëtejshme.

Ndërkohë, 7 shtetas janë arrestuar ose proceduar për vepra të ndryshme, përfshirë drejtimin e automjetit në gjendje të dehur, drejtimin pa leje drejtimi dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në kuadër të kontrolleve janë vendosur gjithsej 3,012 masa administrative. Shkeljet përfshijnë drejtimin nën efektin e alkoolit, tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit, xhamat e errësuar jashtë standardeve, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, parakalimet e gabuara dhe shkelje të tjera.

Gjithashtu, 34 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme, ndërsa 9 leje qarkullimi janë hequr.

Policia njofton se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me fokus te rritja e sigurisë në rrugë dhe parandalimi i paligjshmërive.

Published inNews Shqip